Pershendetje dashamires te kafsheve!
Përshëndetje miq dhe dashamirës të kafshëve.
Para disa ditësh lexova një artikull të Mit’hat Frashërit në vitin 1930 ku lajmëronte se ishte formuar shoqata për mbrojtjen e kafshëve dhe i uronte asaj jetë të gjatë dhe në fakt ashtu si pa ditur jemi duke ecur në gjurmët e të parëve që kanë dashur ti japin jetës më tepër vlera e të trumbetojnë me gjithë forcën kulturën mijëra vjeçare të popullit tonë, e pjesë e kësaj kulture janë dhe kafshët që kanë shoqëruar zhvillimin e njerëzimit deri në ditët e sotme. “Deltari Ilir” është një nismë jo fitim prurëse e Shoqatës Kinologjike të Shqipërisë dhe Kosovës të cilat kanë gjetur frymën vllazërore të bashkëpunimit për të kontribuar sado pak për zhvillimin e kombit shqiptar sidomos në drejtim të një kinologjie moderne. Kinologjia është shkenca që merret me studimin e qenve dhe është mjaft e përhapur në botë. Me qindra organizata, shoqata, klube dhe grupime të çfarëdollojshme që merren me përmirsimin dhe mbrojtjen e rracave të qenve ushtrojnë aktivitetin e tyre sot në botë duke organizuar manifestime, ekspozita, forume të ndryshme për të promovuar gjithsekush rracat e vendeve përkatëse por jo vetëm. Federata Ndërkombëtare Kinologjike (FCI) është organizata më e madhe që operon sot në botë për njohjen dhe vlerësimin e rracave të qenve dhe organizimin e ekspozitave në rang botëror. Në fillim të viteve 90 në Shqipëri pati disa inisiativa për tu krijuar shoqata e parë kinologjike me qëllim antarsimin në FCI por për shkaqe të ndryshme kjo gjë nuk u arrit. Vendet tona fqinje si Greqia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi madje dhe Kosova si shtet i ri kanë bërë progres duke u bërë anëtarë me të drejta të plota ose të pjesshme të FCI, ndërsa Shqipëria nuk ka aplikuar asnjëherë. Ka ardhur koha që të jemi edhe ne pjesë të nismave botërore kinologjike.
OLSI QAZIMI